Përse Shqipëria duhet të heqë dorë nga hidroenergjia dhe të ruajë lumin e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë
Hidroenergjia ka qenë një ndër burimet më të bollshme dhe të shfrytëzueshme për mbi 100 vjet, por kostot dhe përfitimet e saj të vërteta mbeten të pashqyrtuara duke penguar vendimmarrjen e bazuar në informacion të duhur.
A mundet lumi Vjosa në Shqipëri të bëhet një nga Zonat më të mëdha të Ruajtjes së Natyrës në Europë? Po, nëse qeveria do të merrte në konsideratë kostot reale të dy projekteve të mëdha hidroenergjetike dhe të braktiste këto projekte. Aktualisht Shqipëria, si shumë vende të tjera në botë, është pothuajse tërësisht e varur nga hidroenergjia për të gjeneruar energji elektrike për popullatën e saj. Në fakt, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (ANE), hidroenergjia mundëson rreth 16% të energjisë elektrike të botës sot dhe është burimi i vetëm më i madh i energjisë pas lëndëve djegëse fosile. Në diskutimet e sotshme se si të luftojmë ndryshimet klimatike, hidroenergjia shpesh është konsideruar si e qëndrueshme dhe pa emetime të gazrave me efektin serrë kur krahasohet me burime të tjera tradicionale.
Foto ne ballinë: @Christian Baumgartner
Ky shkrim është një përshtatje e shkurtër e raportit të publikuar rishtazi Vlerësimi i Qëndrueshëm i Aseteve të Projekteve Hidroenergjetike të Kalivaçit dhe Poçemit. Raporti i plotë gjendet këtu.
Gjithsesi, përparimet e kohëve të fundit në mjete dhe metodologji për vlerësimin e impaktit të eksternaliteteve në një plan më të gjerë social, mjedisor dhe ekonomik, kanë nxjerrë në pah disa “kosto të fshehta” lidhur me hidroenergjinë. Këto kosto janë thelbësore dhe të pakthyshme për shoqërinë dhe mjedisin, duke nënkuptuar që hidroenergjia nuk mund të konsiderohet gjithmonë një burim energjie i qëndrueshëm. Dështimi i politikë-bërësve dhe i investitorëve për të njohur këto humbje mund të rezultojë në humbje ekonomike prej qindra miliona Eurosh, zhdukjen e biodiversitetit unik, dhe heqjen dorë nga zhvillimi socio-ekonomik dhe mundësive të punësimit.
Si pjesë e përpjekjes për të përparuar botëkuptimin tonë mbi kosotot dhe përfitimet reale të hidroenergjisë, IISD, në bashkëpunim me Fondacionin MAVA, morën përsipër një Vlerësim të Qëndrueshëm Të Aseteve (VQA) për dy projekte hidroenergjetike që janë planifikuar momentalisht përgjatë lumit Vjosa në Shqipëri. Objektivi i studimit ishte të hulumtonte dhe përllogariste vlerën e eksternaliteteve mjedisore, sociale dhe ekonomike të shkaktuar nga këto dy projekte dhe të analizonte si ato do të ndikonin në vlerën neto ekonomike në përgjithësi. Zbatimi i metodologjisë VQA është projektuar për t’i asistuar qeverive dhe investitorëve për të marrë vendime të informuara për planifikim infrastrukturor të qëndrueshëm.
Foto: @Gernot Kunz
I gjatë 260 km, Lumi i Vjojsës është lumi i fundit i egër (i paprekur) me rrjedhje të lirë. Ai krijon një habitat të pasur me një ekosistem të larmishëm me 500 specie dhe 15 habitate prioritare.
Lumi i Vjosës gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare për shkak të vetisë unike të të qenit lumi i fundit me rrjedhë të lirë në Europë. Përveç 10 km të para pranë burimit të tij, e gjithë rrjedha e lumit për rreth 260 km është e paprekur dhe rrjedh lirshëm. Për fat të keq, vetëm një në tre lumenj në botë rrjedh i lirshë sot. Çfarë e bën lumin e Vjosës unik është se pothuaj të gjitha degët e tij janë të pacenuara, duke krijuar kështu një rrjet të gjallë lumenjsh të pashoq në Europë. Pellgu ujëmbledhës i lumit karakterizohet nga dinamika lumenjsh të paprekur dhe ekosisteme ligatinore të spikatura me rreth 500 specie dhe 15 tipe habitatesh prioritare.
Rajoni karakterizohet nga kanione shumë të bukura, gërshetime të rrjedhës, ishuj, kthesa dhe zgjatime gjarpërurese. Në disa zona, shtrati i lumit zgjerohet mbi 2 km. Pjesa e poshtme gjarpëruese zgjerohet në një luginë me ligatina të gjera, duke mundësuar habitate për peshq që shumohen, zogj që migrojnë, e të tjerë. Dhe përfundimisht, derdhet në detin e Mesdheut në veri të lagunës së Nartës, një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në Shqipëri.
Gjithsesi, planet për të ndërtuar dy hidrocentrale të mëdha përgjatë lumit të Vjosës (Kalivaç dhe Poçem) përbëjnë kërcënim për jetesën dhe mirëqenien e popullatës lokale dhe këtyre ekosistemeve të larmishme. Këto dy projekte kanë të instaluar një kapacitet gjithsej prej 210 MW dhe janë të strukturuar si partneritete publiko-private me një investim total prej 250 milionë Eurosh. Investimet janë planifikuar të ndërmerren nga investitorë privatë, që do të kenë në pronësi dhe do të operojnë projektet për një periudhë konçesionare prej 35 vjetësh. Në fund të periudhës konçesionare, hidrocentralet do t’i dorëzohen qeverisë shqiptare.
Figura 1 Harta më poshtë paraqet rrjedhën e lumit të Vjosës dhe degëve të tij (blu e errët) si dhe vendet natyrore të mbrojtura në rajon dhe vendndodhjen e 2 hidrocentraleve të planifikuara.
Ndërtimi i një dige në lumin e Vjosës do të ishte i dëmshëm për komunitetet lokale, mjedisin, dhe për shtetin e Shqipërisë, me humbje ekonomike neto që arrijnë deri në 500 milionë Euro.
Foto: @Collin Key
Vlerësimi VQA përfshinte dhe faktorë të ndryshëm kostosh që shpesh lihen jashtë në analizat tradicionale kosto-përfitim dhe vlerësimet për hidroenergjinë, siç është transporti i sedimenteve, duke rezultuar në nevoja gërryese për të mbajtur hidrocentralët me kapacitet të plotë, dhe kostot që lidhen me prodhim bujqësor të humbur dhe mundësi turizmi të humbura. Më tej, vlerësimi parashikonte ndikime të performancave financiare për shkak të ndryshimeve të nivelit të reshjeve shkaktuar nga ndryshimi i klimës dhe përcillte analiza të ndjeshmërisë për parametra kyçë siç janë çmimi i energjisë dhe faktorët e zbritjes.
Analiza e integruar e kostos dhe përfitimit për të dy hidrocentralet konkludoi në një rezultat neto negativ prej mbi 550 milionë Eurosh gjatë kohëzgjatjes 60 vjeçare të këtyre projekteve; taksapaguesve shqiptarë do u duhej të mbartnin një impakt negativ neto prej mbi 210 milionë Eurosh gjatë kohëzgjatjes të projekteve. Nëse faktori i zbritjes për kostot sociale zbritet për gjysmë, (6.75% në vend të 13.5%), impakti negativ neto për taksapaguesit shqiptarë rritet mbi 490 milionë Euro gjatë kohëzgjatjes së projekteve.
Figura 2 ilustron rezultatet e analizës së kostos dhe përfitimit. Figura nxjerr në pah që kostot e këtyre projekteve, si dhe impaktet e tyre negative (me të kuqe), janë konsiderueshëm më të larta se sa përfitimet e tyre (me të gjelbër), theksuar nga rezlutati neto negativ (me portokalli).
Impaktet më të theksuara negative janë (a) humbja e prodhimtarisë bujqësore (b) kostot e largimit të sedimenteve, dhe (c) humbja e mundësive turistike.
(a) Humbje e prodhimit bujqësor
Vlerësimi parashikon 200 milionë Euro humbje ekonomike që rezultojnë nga prodhimtaria bujqësore e humbur. Këto humbje ekonomike përbëhen nga humbje të prodhimtarisë, taksa të munguara, si dhe humbje të mundësive të punësimit për shkak të përmbytjes së tokave të punueshme si pasojë e rezervuareve të krijuara nga hidrocentralet. Shumë familje në komunitetet lokale do të humbnin shtëpitë si dhe mjetet e jetesës, duke qenë se lumi ka qenë burim i jetesës për ta ndër shumë breza. Lumi Vjosa zë një vend të veçantë dhe thelbësor në jetët e përditshme të njerëzve që jetojnë përgjatë bregut të tij. Tarracat e lumenjve u mundësojnë fshatarëve tokë pjellore për aktivitete bujqësore siç janë prodhimtaria e kulturave bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe larmishmëria e peshkut është jetësor për ekonominë dhe mirëqenien e peshkatarëve lokalë.
Ullishtet e Idajet Zotos dhe mirëqenia e tij e kërcënuar
Idajet Zoto jeton përgjatë lumit të Vjosës në fshatin Anëvjosë. Jetesa e tij mbështetet nga 70 pemët e ullirit që janë mbjellur nga anëtarë të familjes së tij breza më parë – një jetesë që do të ndikohej nga ndërtimi i HEC-eve . Hidrocentrali i Kalivaçit do t’ia përmbyste tokën Idajetit dhe fshatarëve të tjerë, duke ua mbytur burimin e jetesës prapa murit gjigant të digës.
Foto: @Eledia Bundo
(b) Kosotot e largimit të sedimenteve
Lumi i Vjosës sjell në breg rreth 3-5 milionë ton sedimente në vit. Një sasi e madhe e këtyre sedimenteve (zhavorr, rërë) do të ngecte prapa digave të planifikuara të Kalivaçit dhe Poçemit dhe do të akumolohej në rezervuarët përkatës me kalimin e kohës. Kjo, si rrjedhojë, do të ulte potencialin gjenerues nga hidrocentralët për pak a shumë 2% në vit, që nënkupton një humbje prej 40% në gjenerimin e energjisë potenciale pas 20 vjetëve.
Vlerësimi VQA përllogarit 160 milionë Euro kosto për largimin e sedimenteve në mënyrë që dy hidrocentralët të mbahen në kapacitet të plotë operativ gjatë kohëzgjatjes së tyre. Kostot do t’i mbartë ose operatori i hidrocentralit ose shteti shqiptar, që është parashikuar të vazhdojë operimin e tyre pas periudhës 35 vjeçare të konçesionit, në thelb duke trashëguar hidrocentrale jo efikasë për shkak të rezervuarëve të mbushur me sedimente.
Figura 3 ilustron magnitudën e sedimenteve që transportohet çdo vit në lumin e Vjosës deri në detin Adtriatik. Kjo sasi sedimentesh që do të mbetej në rezervuarë është e barabartë me nje radhë të 250,000 kamionësh sa një distancë nga Tirana në Londër.
Figura 3. Magnituda e sedimenteve vjetore transportuar në lumin e Vjosës.
(c) Humbje të mundësive turistike
Për më tepër, vlerësimi përllogarit 10 milionë Euro humbje ekonomike në potencialin e turizmit në të ardhmen për shkak të impaktit negativ të një dige në lumin e Vjosës. Shumë biznese të vogla kanë dalë në pah rishtazi, duke zhvilluar ekoturizëm bazuar në rrjedhjen e lirë të ujërave të Vjosës. Turizmi rekreativ i Vjosës dhe degëve të saj është në rritje e sipër, sidomos në vitet e fundit ku entuziastët kanë filluar të shijojnë aktivitete si rafting, lundrim me kanu, me kajak, të notuarit, etj. Çdo ndërhyrje në natyrën e rrjedhjës së lirë të lumit do të ndikontë dukshëm në tërheqjen e turisteve dhe si rrjedhojë duke frenonte potencialin e zhvillimit të eko-turizmit.
“Turistët vijnë të shohin lumin e fundit me rrjedhje të lirë në Europë. Të shqetësosh natyrën e dlirë të Vjosës do të ketë efekte katastrofike të parimëbkëmbshme. Do të ishte vetëvrasje për bizneset tona dhe brezat e ardhshëm. Toka mëmë na dha këtë lum të mrekullueshëm dhe të parët tanë e lanë të paprekur. Ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë.”
Foto: @Nick St.Oegger
Për shkak të pozitës së favorshme gjeografike dhe klimës mesdhetare, Shqipëria ka potencial të rëndësishëm për zhvillimin e burimeve energjetike të ripërtëritshmne.
Shqipëria varet kryesisht nga burimet ujore për gjenerimin e energjisë, që plotëson 88% të nevojave të saj. Përpos burimeve ujore tashmë të shfrytëzuara, Shqipëria ka shumë potencial të shtuar me kosto konkurruese për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme me një potencial të kombinuar prej 25TWh. Energjitë e ripërtëritshme jo hidrike , siç janë energjia diellore dhe ajo e erës, mund të furnizojnë deri në 15 TWh në vit, pothuaj dyfishi i nivelit aktual të konsumimit prej 7 Twh, siç është regjistruar në 2019. Për shkak të potencialit të lartë për përdorim të burimeve të tjera të energjisë së ripërtëritshme përveç asaj hidrike, ky vlerësim krahasoi dy hidrocentralet me alternativat si energjia diellore fotovoltaike (PV) dhe erës me të njëjtin kapacitet të gjenerimit të energjisë. [1]
Kur krahasohet me energjinë diellore dhe atë të erës, energjia elektrike e gjeneruar nga dy hidrocentralet përgjatë lumit të Vjosës është më e shtrenjtë për shoqërinë sesa energjia nga dielli dhe era.
Njësia e kostos së gjenerimit të energjisë elektrike nga hidrocentrali i Poçem-it dhe Kalivaç-it u krahasua me njësinë e kostos së gjenerimit të energjisë nga PV diellore dhe energjise nga era. Në mënyrë që të krijohej një pikë referimi për perfomancën e kostove të këtyre tri teknologjive, u përllogarit kosto e nivelizuar e energjisë elektrike – një indikator kostoje që thekson koston e prodhimit të një njësie elektriciteti (MWh). Kur përfshihet vlera monetare e gjithë eksternaliteteve pozitive dhe negative në këtë përllogaritje, vlerësimi konkludon se kostoja e gjenerimit të energjisë elektrike nga hidrocentrali është shumë më e shtrenjtë sesa gjenerimi i energjisë elektrike nga alternativat e erës dhe diellit.
[1]Duhet theksuar se energjia e prodhuar nga teknologjitë e diellit dhe erës është me natyrë ndërprerëse, dhe si rrjedhojë më pak e parashikushme se burimet tradicionale si hidroenergjia. Megjithatë, përparimet në teknologjinë e baterive kombinuar me panelet diellore mund të ofrojë burim energjie të besueshëm dhe të qëndrueshëm, për një sasi të konsiderueshme të miks-it të gjenerimit në Shqipëri.
Figura 4 ilustron koston e nivelizuar të tri teknologjive teksa dallon mes dy projekteve hidroenergjetike të planifikuara, Poçem dhe Kalivaç. Kostoja për MWh përfshin kapitalin konvencional dhe shpenzime operative si dhe vlerën monetare të eksternaliteteve. Duket se energjia e gjeneruar nga PV diellore është dukshëm zgjidhja më e përballueshme për popullin shqiptar, ndjekur nga energjia nga era.
Përpos krahasimit të alternativave të energjisë bazuar në kosto, u krye edhe një vlerësim financiar krahasues për të arritur konkluzione mbi performancat financiare të secilës teknologji energji-gjeneruese. U përllogarit Shkalla e Brendshme e Kthimit (SHBK) [1] , duke sugjeruar prespektiva të përfitimit nëse investohet në secilën teknologji. Siç edhe tregohet në tabelën 1, SHBK në investim është më e lartë për PV diellore (12.23%) dhe më e ulët për erë (5.09%) ndërkohë që SHBK e dy hidrocentraleve bie diku tek 9.32%. SHBK u përllogarit gjithashtu për një skenar që përfshin vlerën monetare të eksternaliteteve. Në atë rast, SHBK e projekteve hidroenergjetike del negative, duke nënkuptuar që kur kostot mjedisore dhe sociale përfshihen në vlerësime financiare, energjia e gjeneruar nga HEC Poçem dhe HEC Kalivaç nuk mund të konsiderohet me vlerë për popullin shqiptar.
[1]Shkalla e Brendshme e Kthimit (SHBK): një indikator i përfitimit në investime potenciale. SHBK është shkalla e zbritjes që bjen vlerën neto prezente (VNP) të të hyrave nga një projekt në zero.
Të përmirësuarit të botëkuptimit tonë dhe aftësia për të bërë investime të shëndosha kërkon konsiderimin e eksternaliteteve dhe rreziqeve që lidhen me projektet e infrastrukturës.
Metodat konvencionale të financimit të infrastrukturave dhe vlerësimi i projekteve të energjisë marrin në konsideratë të dhëna të ndryshme thelbësore që radhiten nga çmimi i supozuar i energjisë deri tek kushtet financuese në faktorët makro-ekonomikë. Mirëpo edhe sot, planifikimet e shumë projekteve infrastrukturore në shkallë të gjerë, zakonisht nuk marrin në konsideratë kostot e jashtme në shoqëri (eksternalitetet) dhe magnitudën e tyre, që varion nga gjurma mjedisore deri tek impakti ekonomik në komunitetet lokale dhe kostot e shpërndarjes së teknologjive alternative.
Në mënyrë që të pajisim politikë-bërësit me informacionin e nevojshëm kur merren vendime të çështjeve infrastrukturore kaq kritike siç janë furnizimi me energji, një set i gjerë i nxitësve socialë, mjedisorë dhe ekonomikë duhet të shtohet në analizën e kostos dhe përfitimit dhe modelimi financiar i projekteve infrastrukturore të një shkalle të gjerë. Vlerësimi për hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit kombinon metodat vlerësuese konvencionale me metodologji të avancuara për të vlerësuar dhe përfshirë eksternalitetet dhe faktorët e rrezikut në vlerësimin e aseteve. Njohuritë e këtij vlerësimi bashkuar me studime shkencore përkatëse që u kryen mbi vlerën e ruajtjes së e Vjosës, së fundmi dhanë kontribut për tërheqjen e vëmendjes së politikës dhe bëri që vendimarrës kyç të politikës, si vetë Presidenti i Shqipërisë, të flasin në favor të mbrotjes së lumit të Vjosës dhe braktisjes së hidrocentraleve.
Foto: @Roland Dorozhani
“Unë jam në favor të një parku kombëtar. Elektriciteti mund të gjenerohet ndryshe, kryesisht me diell dhe erë, dhe nuk ka nevojë të shkatërrohet Vjosa.”
Burimi: balkanrivers.net | President foto: president.al
Foto: Gregor Subic
Mbrojta e një lumi të dlirë si Vjosa dhe ekosistemit të saj, është një hap thelbësor në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe objektivave të ruajtjes së natyrës në rajon. Kushtet unike të habitatit, shtigjet e migrimit dhe mundësitë e mbrojtjes nga përmbytja që ky lum ofron, janë burime të paçmueshme për komunitetet lokale, florën dhe faunën.
Vlerësimi financiar i kostove negative që rezultojnë nga vendosja e digave është sfiduar dhe anashkaluar në shekullin XX. Ky studim, parashtron nje qasje te re vlerësuese të projekteve të infrastrukturës dhe mundeson një vendimmarrje të bazuar në informacion të duhur. Është koha për të vepruar në përputhje me rrethanat aktuale dhe të realizohet tranzicioni në sisteme energjetike të qëndrueshme që janë në vijë të drejtë me rrugët zhvillimore të qëndrueshme.
Foto: @Gernot Kunz